Revista Forbes ka publikuar listën e miliarderëve për vitin 2026, duke shënuar një tjetër rekord për numrin dhe pasurinë e tyre. Sipas publikimit, në botë janë 3,428 miliarderë, rreth 400 më shumë se në vitin 2025, me një pasuri totale që arrin në 20.1 trilionë dollarë, rreth 4 trilionë më shumë se një vit më parë.
Rritja e madhe e pasurive lidhet kryesisht me zhvillimin e inteligjencës artificiale, tregjet e fuqishme të aksioneve dhe politikat fiskale të favorshme në disa vende.
Në krye të listës renditet sërish Elon Musk, i cili mban vendin e parë për të dytin vit radhazi dhe konsiderohet personi më i pasur i regjistruar ndonjëherë, me një pasuri të vlerësuar rreth 839 miliardë dollarë. Rritja e pasurisë së tij është nxitur nga vlera në rritje e kompanive Tesla dhe SpaceX, kjo e fundit që synon të dalë në bursë gjatë vitit 2026.
Pas Musk renditet bashkëthemeluesi i Google, Larry Page, me rreth 257 miliardë dollarë pasuri. Në vendin e tretë është Sergey Brin me 237 miliardë dollarë. Pesëshja më e pasur plotësohet nga Jeff Bezos me rreth 224 miliardë dollarë dhe Mark Zuckerberg me 222 miliardë dollarë.
Sipas Forbes, gjatë 12 muajve të fundit në botë është shtuar mesatarisht më shumë se një miliarder i ri çdo ditë. Lista e këtij viti përfshin edhe 390 emra të rinj, mes tyre Dr. Dre, Beyonce Knowles-Carter, tenisti Roger Federer, Greg Abel, pasardhësi i Warren Buffett në krye të Berkshire Hathaway, si dhe Kimbal Musk, vëllai i Elon Musk.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kryesojnë me numrin më të madh të miliarderëve në botë, me 989 persona dhe një pasuri të përbashkët rreth 8.4 trilionë dollarë. Kina renditet e dyta me 539 miliarderë, ndërsa India e treta me 229.
Në listën e këtij viti është rritur edhe pasuria e presidentit Donald Trump. Pasuria e tij vlerësohet rreth 6.5 miliardë dollarë, rreth 27% më shumë se një vit më parë, duke e renditur në vendin e 645 në botë.










