Forbes: Bregdeti verior i Shqipërisë, destinacioni i ri super-prime i pasurive të paluajtshme në Adriatik

Bregdeti verior i Shqipërisë po shndërrohet në një nga zonat me potencialin më të lartë për pasuritë e paluajtshme luksoze në Adriatik, shkruan Forbes. Me arkitekturë bashkëkohore, mikpritje të nivelit botëror dhe infrastrukturë të re, kjo zonë e panjohur deri pak vite më parë, po hyn në hartën e investimeve elitare.

Në pikën më të ngushtë të Ngushticës së Korfuzit, Shqipëria ndodhet vetëm pak më shumë se një milje larg ishullit grek, por për dekada me radhë ka mbetur një mister për botën. Pas izolimit të gjatë komunist, vendi po afirmohet si një alternativë e re mesdhetare, me vijë bregdetare rreth 300 milje.

Ndërsa jugu (Sarandë, Ksamil, Dhërmi) është tashmë i njohur, veriu mbetet ende i pazbuluar për shumicën. Qyteti i Shëngjinit, i famshëm për perëndimet e diellit, është sot një destinacion i preferuar për pushuesit nga Tirana dhe Kosova. Por pak më në veri, drejt Ranës së Hedhun – një dunë gjigante rëre që ngrihet mes pyjeve me pisha – po merr formë projekti i parë luksoz i zonës.

Dukagjini Resort – projekti që ndryshon hartën

Në një sipërfaqe prej 27 hektarësh, mes kodrave shkëmbore dhe një plazhi me rërë të artë, po ndërtohet Dukagjini Resort, zhvillimi i parë super-luksoz në veri të Shqipërisë. Projekti i përket Dukagjini Group dhe është dizajnuar nga arkitekti austriak Chris Precht, i njohur për arkitekturë ekologjike dhe forma eksperimentale.

Kompleksi përfshin:

  • 189 rezidenca në 11 ndërtesa,
  • 187 njësi të tjera në Veranda Village,
  • një hotel 5 yje Swissôtel mbi rërë,
  • kazino, spa, marina të vogël,
  • restorante, dyqane, concierge dhe parking nëntokësor.

Arkitektura ndjek terrenin natyror, pa e imponuar veten mbi të. “Kjo është më shumë se një zhvillim – është një pikë referimi dizajni që do të ripërcaktojë këtë segment të bregdetit shqiptar,” thotë Brandan Mativi, themelues i Capital Point | Forbes Global Properties.

Çmime dhe interes ndërkombëtar

Sipas Mativit, brenda 8 muajve nga nisja e ndërtimit është shitur 60% e projektit, edhe pse përfundimi pritet në vitin 2028.

Penthouse-t më luksoze aktualisht shiten rreth 1.6 milionë euro, por pritet që çmimet të dyfishohen deri në përfundim.

Tregu i nivelit të mesëm po tërheq blerës nga Europa Lindore (Poloni, Çeki), ndërsa segmenti mbi 1 milion euro është më tërheqës për investitorë nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA.

Infrastrukturë e re, akses më i shpejtë

Brenda dy viteve të ardhshme, një bypass i ri do ta lidhë Shëngjinin me Tiranën për 45 minuta, ndërsa një zgjerim autostrade do të krijojë akses të shpejtë me Malin e Zi – një tjetër treg në rritje për pasuritë luksoze.

Forbes e përmbyll duke theksuar se arkitektura moderne që po del nga kodrat me pisha dhe shkëmbinj në një zonë të ndaluar deri 35 vite më parë, po krijon një destinacion të ri luksi në Mesdhe.

“Kjo është reflektim i drejtimit ku po shkon Shqipëria. Në kohë të pasigurta, izolimi i dizajnuar dhe potenciali real i investimit janë pikërisht ajo që kërkojnë të pasurit e botës.” – Brandan Mativi, Forbes Global Properties/Forbes

https://www.forbes.com/sites/forbes-global-properties/2026/02/03/in-albania-serious-property-potential-emerges-on-its-quieter-northern-coast/