Fondi i BE për bujqësinë ende i mbyllur, Ministria: Programi IPARD III në proces akreditimi

Mbështetja për fermerët shqiptarë me fondet e Bashkimit Europian pritet të rifillojë së shpejti, por programi IPARD III nuk është hapur ende për aplikime. Sqarimi është bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila bën me dije se procesi ndodhet aktualisht në fazën e rishikimit të procedurave dhe finalizimit të akreditimit.

Në një reagim për interesin e lartë të fermerëve dhe publikut, ministria sqaron se po vijon edhe procesi për përmbylljen e marrëveshjes së financimit me Komisionin Europian.

Sipas njoftimit, kjo fazë përfshin verifikimin dhe forcimin e sistemeve të menaxhimit, kontrollit dhe monitorimit financiar, në përputhje me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Europian, me qëllim garantimin e përdorimit transparent dhe efektiv të fondeve.

Institucionet përgjegjëse shqiptare, në bashkëpunim me strukturat e Komisionit Europian, po vijojnë punën teknike dhe administrative për të përmbyllur sa më shpejt procesin e akreditimit, në mënyrë që programi të hapet për aplikime menjëherë pas përfundimit të këtyre procedurave.

Programi IPARD III për periudhën 2021–2027 konsiderohet një instrument i rëndësishëm financiar për mbështetjen e investimeve në bujqësi dhe zhvillimin rural, si dhe një hap i rëndësishëm në përgatitjen e Shqipërisë për administrimin e fondeve të Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit europian. Ministria e Bujqësisë bën me dije se do të informojë zyrtarisht publikun sapo programi të hapet për aplikime.