Fluturimi pranë Hënës, ekuipazhi i Artemis nis fotot e para

Raketa “Integrity” ka nisur zyrtarisht fluturimin pranë Hënës, ndërsa ekuipazhi i misionit Artemis ka filluar vëzhgimet shkencore dhe dokumentimin e pamjeve nga hapësira.

Astronautët kanë komunikuar me kontrollin e misionit në NASA, duke raportuar mbi fotografitë e realizuara gjatë këtij udhëtimi. Sipas tyre, pamjet janë unike, pasi nga kapsula mund të shihen njëkohësisht si Hëna, ashtu edhe Toka.

“Po i shohim të dyja. Toka duket shumë më e vogël se Hëna nga perspektiva jonë,” u shpreh specialistja e misionit, Christina Koch.

Ekuipazhi është i pajisur me teknologji moderne fotografike, përfshirë tre kamera Nikon (dy D5 dhe një Z9), të kombinuara me lente të ndryshme për kapjen e imazheve panoramike dhe detajeve të imëta të sipërfaqes hënore. Përveç tyre, në anijen kozmike janë vendosur edhe kamera GoPro në pjesën e jashtme, ndërsa çdo astronaut përdor edhe iPhone për dokumentimin e brendshëm të misionit.

Për të siguruar cilësi sa më të lartë të imazheve, gjatë fotografimit dritat e kapsulës reduktohen. Megjithatë, sipas ekspertëve, edhe këto pajisje moderne hasin sfida për të arritur cilësinë ikonike të kamerave 70 mm Hasselblad të përdorura në misionet Apollo.

Ndryshe nga e kaluara, teknologjia dixhitale u mundëson astronautëve të ruajnë mijëra fotografi në karta memorieje shumë të vogla, duke e bërë dokumentimin më efikas dhe më të shpejtë.

Misioni Artemis konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të njeriut në Hënë dhe zgjerimit të kërkimeve hapësinore në të ardhmen.