Fundjava ka sjellë rritje të ndjeshme të lëvizjes në pikën kufitare të Kakavijës, në të dyja anët e kufirit me Greqinë. Qindra automjete i janë drejtuar këtë të shtunë shtetit fqinj, duke u përballur me pritje të gjata në sportelet e palës greke.
Sipas udhëtarëve, radha në territorin grek ka arritur deri në 3 kilometra gjatë mesditës së sotme. Shumica e tyre udhëtojnë për të kaluar festën e Pashkës ortodokse në Greqi.
Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve i drejtohen gjithashtu Janinës për blerje, të nxitur nga çmimet më të ulëta të mallrave.
Ndërkohë, zbatimi i regjimit të ri të kontrollit kufitar ka ndikuar në shtimin e kohës së pritjes në doganën greke. Autoritetet paralajmërojnë se gjatë javës së ardhshme, për shkak të festave, pritet një fluks edhe më i lartë i lëvizjes në këtë pikë kufitare.










