Ballina Shqiperia ime Financimi në mbjellje të reja-Fermerët, afat deri në 30 shtator për të...

Financimi në mbjellje të reja-Fermerët, afat deri në 30 shtator për të aplikuar

Fermerët kanë afat deri në 30 shtator për të aplikuar në Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, për mbështetje në mbjellje të reja, në pemë frutore, agrume, ullishte dhe vreshta.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cila u shpreh se mbështetja do të jepet për mbjelljet e reja në pemë frutore, agrume, ullishte dhe vreshta në sipërfaqe 0.5 ha deri në 10 ha.

Denaj informoi se mbështetja financiare do të jetë deri në 50% të vlerës totale të faturave tatimore.

Sipas ministres Denaj, mbështetja financiare për mbjelljet e reja do të jetë jo më shumë se 800 000 lekë për hektarë dhe pagesë shtesë deri në 250,000 lekë për hektarë për sistemin e ujitjes me pika.
“Përmes përfitimit të 50% grant nga skema dhe kombinimit me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit, siguroni financim të plotë për të gjithë investimin”, u shpreh Denaj në një postim në rrjetet sociale.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën thirrje për të gjithë fermerët dhe agropërpunuesit që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofrohen nga Skema Kombëtare e Investimeve 2025 për të realizuar investime të qëndrueshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri.

Mbështetja me grante në masën 50 % do të shoqërohet për gjatë gjithë vitit me asistencë të drejtpërdrejtë për disbursimin e masës së parë prej 30 %, brenda dhjetorit.