Në Sheq, Marinas, Topojë, Povelçë, Dërmenas, Grykë, Darzezë, Ballsh dhe Lushnjë, projektet shtrihen njëra pas tjetrës. Fillimisht shfaqen projektet dy megavatëshe, njësi të vogla në dukje, por të shumta në numër.
“Përsa i përket qarkut të Fierit apo qytetit të Fierit ku është përqendruar pjesa më e madhe e lejeve të dhëna për këto panele fotovioltaike dhe kryesisht edhe në toka bujqësore normalisht kjo energji që do të hidhet që do të prodhohet, e mban dot sistemi apo rrjeti që kemi ne aktualisht në qytetin e Fierit, unë kam dyshimet e mia që nuk i mban dot”, u shpreh inxhinieri Azmer Dulevic.
“Dhënia e lejeve për fotovoltaikët është një problematikë shumë e madhe sidomos në pjesën e transmetimit në rrjetin e shpërndarjes”, u shpreh ekspert i energjisë Eduart Elezi.
Duke qenë se pjesa më e madhe e centraleve fotovoltaike janë duke u ndërtuar dhe zhvilluar në Qarkun e Fierit, në vitin 2025 është vënë në funksion nënstacioni 220/20 KV i Hoxharës, me fuqi të instaluar 100 MVA, në njësinë operative Fier, si dhe lidhja me rrjetin e transmetimin në linjën 220 kV.
Një prej projekteve më të mëdha është ai i kompanisë “GreeNNat Solar Park Ballsh sh.p.k.” me kapacitet 100 megavat. Në terma kapaciteti, projekte të tilla kanë ndikim në rrjetin kombëtar të transmetimit, në përdorimin e tokës dhe në ekonominë lokale.
“Ne po investojmë në prodhim pasi mesa duket aty është përqendruar pjesa e vëmendjes nga investitorët privat kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike, ajo që duhet bërë sot që e shikoj unë si inxhinier nuk duhet të jetë vëmendja te prodhimi, duhet të jetë te shpërndarja. Ne e kemi rrjetin e amortizuar të shpërndarjes të energjisë elektrike, pra ne kemi linja të pandërruara të energjisë elektrike sot e 38 vjet më parë që janë vendosur për herë të parë, kemi transformator që nuk janë ndërruar sot e 35 vite”, u shpreh inxhinieri Azmer Dulevic.
ERE: Në planin 10-vjeçar të investimeve, ka planifikuar që të investojë duke parashikuar: Ndërtimin e një linje të re 400 kV ndërmjet nënstacioneve Fier, Hoxharë dhe Rrashbull. Zgjerimin në 400 kV dhe fuqizimin e nënstacionit Rrashbull me transformatorë të rinj 400/110 kV. Fuqizimin e nënstacionit Fier dhe instalimi i autotransformatorit të dytë 400/220 kV, 400 MVA. Zgjerimin në tension 400 kV dhe përforcimi i nënstacionit ekzistues 220/110 kV Hoxharë.
T/CH










