Hedhja e fishekzjarreve në qytetin e Fierit është kthyer në një problem serioz për komunitetin. Qindra banorë alarmohen nga zhurma e krismave, shpeshherë deri në panik, veçanërisht kur ato shpërthejnë pas mesnate. Ndërsa një pjesë e qytetarëve festojnë ditëlindje apo raste të tjera familjare, shumë të tjerë gjenden në gjumë me fëmijët dhe familjarët e tyre dhe preken drejtpërdrejt nga prishja e qetësisë publike.
Megjithëse hedhja e fishekzjarreve është e ndaluar me ligj, ky fenomen vijon të përsëritet. Për këtë arsye, Policia e Fierit ka njoftuar se do të marrë masa ndëshkimore ndaj personave që shkelin ligjin dhe prishin qetësinë e qytetarëve, sidomos pas mesnate.
Njoftim për qytetarët –
Në bazë të Ligjit nr. 152/2015 “Për armët”, akteve nënligjore dhe Kodit Penal:
-Çfarë ndalohet:
- Hedhja e fishekzjarreve në hapësira publike pa autorizim.
- Përdorimi i tyre pas orës 22:00 në zona të banuara.
- Shitja dhe përdorimi i fishekzjarreve nga të miturit.
- Shpërthimet pranë banesave, spitaleve, shkollave apo ambienteve ku rrezikohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve.
Çfarë lejohet:
- Përdorimi i fishekzjarreve vetëm në evente të miratuara nga autoritetet (festime kombëtare, aktivitete publike të autorizuara).
- Organizimi i tyre nga subjekte të licencuara për piroteknikë.
Sanksionet:
-Gjobë administrative nga 10 000 deri në 50 000 lekë.
-Sekuestrim i fishekzjarreve të përdorura pa leje.
-Në raste të rënda (shkaktim dëmi, paniku ose rreziku për jetën), ndjekje penale sipas nenit 274 të Kodit Penal për prishje të qetësisë publike.
– Qytetarët që konstatohen duke përdorur fishekzjarre në mënyrë të paligjshme do të ndëshkohen.
Bashkë të ruajmë qetësinë dhe sigurinë publike!