Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, ku shfaqen dy punonjës policie duke u konfliktuar me një drejtues automjeti, ju informojmë se:
Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Lushnjë ka konstatuar në lagjen “Loni Dhamo”, automjetin tip “Opel” të parkuar gabim duke penguar lëvizjen e automjeteve të tjera dhe ka ndaluar për të vendosur masën administrative.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi D. Xh., 50 vjeç, banues në Lushnjë, ka fyer dhe kërcënuar me fjalë punonjësit e Policisë dhe ka tentuar të largohet me automjetin, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë të cilët kanë ndërhyrë për neutralizimin e veprimeve të tij dhe gjatë ndërhyrjes 50-vjeçari i ka kundërshtuar me dhunë duke i goditur punonjësit e policisë.
Në përfundim të veprimeve, nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Fierit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. Xh., për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësve të policisë së rendit publik”.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. N., 29 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në celularin e tij u konstatua një faqe aktive për baste sportive.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier:
-arrestuan në flagrancë shtetasin J. H., 69 vjeç, banues në Roskovec, pasi u konstatua jashtë banese, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. K., 64 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka vjedhur produkte ushqimore në një supermarket.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 09:00, në fshatin Verbas, automjeti me drejtues shtetasin J. V., 18 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin F. S., dhe për pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit dhe katër pasagjerë, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.











