Ballina Shqiperia ime Fier – Gjykata dënon me burgim të përjetshëm autorin e vr*sjes efektivit...

Fier – Gjykata dënon me burgim të përjetshëm autorin e vr*sjes efektivit të “Shqiponjave”

Fier – Gjykata dënon me burgim të përjetshëm Azgan Mërnicën për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave”

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dhënë vendimin e saj për Azgan Mërnicën, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, pjesëtar i forcave speciale “Shqiponja”, N.C.

Prokuroria kërkoi dënimin maksimal për Mërnicën, i cili akuzohej për tre vepra penale:

  • Vrasje me armë zjarri të punonjësit të policisë,
  • Armëmbajtje pa leje,
  • Drejtim të parregullt të mjetit.

Ngjarja e rëndë në Baltëz

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Bashkisë Fier. Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi si një konflikt banal. Azgan Mërnica po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi të lartë në një kthesë të rrezikshme, kur u ndalua nga efektivi N.C., i cili i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e rrezikshme të ngarjes.

Sipas Prokurorisë, pas një debati të ashpër verbal, Mërnica ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje efektivin, i cili ndodhej në detyrë. Pas ngjarjes, i akuzuari u kap nga forcat e rendit pas një operacioni disaorësh.

Vendimi i plote i Gjykates FIER

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me trup gjykues të përbërë nga:

  • Gjyqtare: Elira Hroni
  • Gjyqtare: Miranda Nakaj
  • Gjyqtar: Vladimir Cjapi

në seancën gjyqësore të datës 30.07.2025, zhvilluar në prani të përfaqësuesit të Prokurorisë, z. Denis Hyka, të pandehurit A.M me mbrojtës avokatin Xhevair Morina dhe në mungesë të viktimës N.C,

pasi shqyrtoi tërësisht aktet e dosjes penale nr.___, provat materiale, dëshmitë dhe konkluzionet përfundimtare të palëve, në përfundim të gjykimit me procedurë të shkurtuar,

P Ë R   K Ë T O   A R S Y E

Bazuar në nenet 79/b, 278, 291, 55 të Kodit Penal dhe nenet 190, 379, 384, 388, 390, 406 e 485 të Kodit të Procedurës Penale,

V E N D O S

1️⃣ Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal, në dëm të punonjësit të policisë së shtetit, viktimës N.C, dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

2️⃣ Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.

3️⃣ Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.

4️⃣ Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, me bashkimin e dënimeve të mësipërme, gjykata vendos dënimin përfundimtar të të pandehurit A.M me burgim të përjetshëm.

5️⃣ Në masën e dënimit do të llogaritet edhe periudha e vuajtur në paraburgim, duke filluar nga data e arrestimit 16.05.2024, ora 01:50, e në vijim. Dënimi do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

6️⃣ Në bazë të nenit 190 pika 1, germa “b” të K.Pr.Penale, provat materiale të sekuestruara konfiskohen dhe asgjësohen sipas ligjit.

7️⃣ Në aplikim të nenit 393 të K.Pr.Penale, shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit A.M.

E drejta e ankimit:

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

U shpall në Fier, sot më datë 30.07.2025.

GJYQTARE

Elira Hroni

GJYQTARE

Miranda Nakaj

GJYQTAR

Vladimir Cjapi