Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka kryer disa ndërhyrje në 24 orët e fundit, duke finalizuar disa arrestime për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin L. A., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në automjetin që drejtonte iu gjetën 9 doza kokaine. Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale.
Po ashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin D. S., 63 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u kap duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Fier arrestuan në flagrancë shtetasit H. M., 42 vjeç, bashkëshorten e tij L. M., 42 vjeçe, dhe djalin A. M., 20 vjeç, si dhe shpallën në kërkim djalin tjetër A. M., 18 vjeç. Ata dyshohet se kanë dhunuar kunatin e tyre K. O., 39 vjeç, dhe bashkëshorten e këtij të fundit, si edhe kanë dëmtuar xhamat e automjeteve në pronësi të K. O. Policia po punon për kapjen e 18-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, në Prokurori u referuan materialet për fillimin e procedimit në gjendje të lirë ndaj shtetasit E. K., 42 vjeç, nga Libofsha, i dyshuar për goditje për motive të dobëta ndaj një shtetasi 43-vjeçar.











