Fier – 11 punonjës të rinj të Policisë së Shtetit kanë nisur detyrën në strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në pozicionin “Patrullë e Përgjithshme”.
Me këtë rast, në ambientet e DVP Fier u zhvillua një takim me punonjësit e rinj, ku morën pjesë Drejtori i DVP Fier, Drejtues Erion Ahmeti, zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, Kryekomisar Taulant Gjoka, shefi i Personelit dhe specialisti i trajnimeve.
Gjatë bashkëbisedimit, Drejtues Erion Ahmeti u shprehu 11 punonjësve mbështetjen dhe inkurajimin për nisjen e rrugëtimit të tyre profesional, duke theksuar rëndësinë e angazhimit, përkushtimit, integritetit dhe profesionalizmit në përmbushjen e detyrës.
Ai nënvizoi se shërbimi në Policinë e Shtetit nuk është vetëm një profesion, por një mision dhe përgjegjësi e lartë ndaj qytetarëve, për garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.
Drejtori i DVP Fier u bëri thirrje punonjësve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me ndershmëri dhe profesionalizëm, duke respektuar ligjin dhe duke vendosur qytetarin në qendër të shërbimit policor.
Në përfundim, drejtuesit e DVP Fier u uruan suksese në detyrën e re 11 punonjësve, duke garantuar mbështetje dhe asistencë gjatë rrugëtimit të tyre profesional në radhët e Policisë së Shtetit.










