Një raport i fundit i publikuar nga UNDP ka nxjerrë në pah një prani të fortë të grave në administratën vendore shqiptare. Të dhënat e analizuara nga 12 bashkitë kryesore tregojnë se 77% e stafit përbëhet nga femra.
Nga gjithsej 973 punonjës, 754 janë gra dhe vetëm 219 burra, duke e bërë administratën vendore një hapësirë ku gratë dominojnë dukshëm, veçanërisht në sektorët e shërbimeve sociale.
Profesionet kryesore sipas raportit:
- Punonjës socialë: 316 gjithsej, prej tyre 276 gra.
- Psikologë: 36 gjithsej, pothuajse të gjitha femra.
- Juristë: 11 gjithsej, 8 gra.
- Ekonomistë: 137 gjithsej, 81 gra.
- Inxhinierë, mjekë, agronomë, veterinerë: përfaqësojnë rreth 49% të stafit.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është ngarkesa për punonjës, që ndryshon ndjeshëm nga një bashki në tjetrën.
- Kukësi ka raportin më të lartë: 629 përfitues për çdo punonjës.
- Tirana: 565 përfitues për punonjës.
- Shkodra: 533 përfitues për punonjës.
- Berati ka raportin më të ulët: vetëm 107 përfitues për një punonjës.
Raporti thekson gjithashtu se krahasuar me dy vite më parë, ngarkesa mbi punonjësit e bashkive është ulur ndjeshëm, sidomos në bashkitë që kishin situatën më të vështirë, si Kukësi, Dibra, Elbasani dhe Tirana.