Ballina Shqiperia ime Erozioni nga lumi Vjosa ,rrezikon banesat e fshatit ne Fier

Erozioni nga lumi Vjosa ,rrezikon banesat e fshatit ne Fier

Fshati Kashishtë në njesine administrative FRAKULL te Bashkise ,Fier po përballet me një rrezik serioz për shkak të erozionit të shtratit të lumit Vjosa. Çdo ditë, lumi po gërryen tokën dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë banesave të fshatit, duke krijuar një situatë alarmante për banorët.

Në disa zona, distanca midis lumit dhe shtëpive ka arritur në vetëm 15 metra, ndërsa çdo ditë po humbasin rreth 2 metra tokë për shkak të prurjeve të fuqishme dhe thellësisë së madhe të ujit.

Sipas kryeplakut të fshatit, Ramadan Kapaj, ndërtimi i peneleve mbrojtëse është domosdoshmëri për të parandaluar përparimin e mëtejshëm të lumit.

Ai kujton se penelet e ndërtuara në vitet ’70 kishin një ndikim pozitiv, por me kalimin e kohës dhe zgjerimin e shtratit të lumit, ato janë dëmtuar dhe shembur.
Edhe pse disa vite më parë u realizua një investim për mbushjen me gurë të anëve të tokave bujqësore në fillim të fshatit, ky proces u ndërpre pa arsye të qarta.

Situata aktuale është kritike, pasi lumi ka avancuar rreth 50 metra drejt fshatit vetëm gjatë vitit të fundit. Ndërhyrjet e pjesshme të bëra më parë nuk kanë dhënë efektin e duhur për shkak të cilësisë së dobët të punimeve dhe mungesës së thellësisë së nevojshme.
Banorët kërkojnë urgjentisht ndërhyrje të menjëhershme për ndërtimin e peneleve të reja dhe mbushjen e shtratit me inerte në zonat më të prekura, në mënyrë që të shmanget një katastrofë e mundshme për banesat dhe tokat e tyre bujqësore.