Erjona Ismaili jep dorëheqjen nga drejtimi i PS-së në Vlorë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares së Partisë Socialiste në Vlorë, post të cilin e mbante prej 1 viti e 3 muajsh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ismaili bëri të ditur se vendimi është marrë në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të strukturave të PS-së, duke synuar t’i hapë rrugë procesit të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të degës së Vlorës.

Ismaili e cilësoi drejtimin e PS-së së Vlorës si një privilegj dhe përgjegjësi të madhe, duke falënderuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për besimin e dhënë.

Ajo shprehet se gjatë kësaj periudhe është përpjekur ta ushtrojë detyrën me përkushtim, korrektësi dhe integritet, ndërsa në fund të deklaratës falënderoi socialistët, anëtarët, drejtuesit dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen dhe bashkëpunimin.

“Sot, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, jap dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares, duke i hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës”, shkruan Ismaili.

Ajo e përmbyll mesazhin duke e cilësuar periudhën në krye të strukturës socialiste në Vlorë si një kapitull të rëndësishëm në angazhimin e saj politik.