Deputeti Erion Braçe ka denoncuar rritjen e çmimeve të perimeve në zonën “5” në Tiranë, duke i cilësuar ato si abuzime skandaloze. Në një postim në rrjetet sociale, ai rendit çmimet e produkteve, ku domatet variojnë nga 300 në 340 lekë/kg, ndërsa ato të vogla të importit arrijnë deri në 640 lekë/kg. Sipas tij, edhe produktet e tjera si speci i kuq, patëllxhani, bizelet dhe mashurkat kanë pësuar rritje të ndjeshme.
Braçe thekson se, përveç çmimeve të larta, tregtarët nuk lëshojnë faturë tatimore për shitjet. Ai ngre gjithashtu shqetësimin për zaptimin e trotuareve nga shitësit, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve, sidomos të moshuarve.
Deputeti shton se prej një viti i ka kërkuar Policisë Bashkiake të ndërhyjë për lirimin e hapësirave publike, por sipas tij, nuk është marrë asnjë masë konkrete.










