Deklaratë për Shtyp
Më datë 24.09.2025, rreth orës 03:48, i paraburgosuri Bledar Selmanaj ka tentuar të arratiset.
Ai ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.
Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai është i akomoduar në dhomat e veçimit, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Ky shtetas ka tentuar edhe dy herë të tjera të arratiset nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri, përmes veprimeve aktive.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron dhe garanton një nivel të lartë sigurie dhe mbarëvajtje të qetë në sistemin e burgjeve.
Kjo nuk është tentativa e parë e Selmanajt. Burime bëjnë të ditur se ai ka provuar edhe dy herë të tjera të arratiset, si dhe ka pasur dy tentativa vetëvrasjeje brenda qelisë.