Ballina Shqiperia ime Dy inspektorët e AKU-së që lejuan eksportin e 8 ton domateve me...

Dy inspektorët e AKU-së që lejuan eksportin e 8 ton domateve me pesticide drejt Kroacisë!

Personat në foto, dy inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Griselda Doksani dhe Ronaldo Lika, janë vënë në pranga pas një hetimi të Prokurorisë së Beratit, pasi lejuan në mënyrë të qëllimshme eksportin e 8 tonëve domate me përmbajtje të lartë pesticidi drejt Kroacisë. Bashkë me ta u arrestua edhe administratori i firmës eksportuese, Mariglen Qorri, 40 vjeç.

Sipas hetimeve, inspektorët kishin plotësuar dokumentacionin në mënyrë fiktive, duke mos kryer marrjen e mostrave të domateve në magazinë dhe duke mos ndërmarrë asnjë masë bllokimi të tyre. Për më tepër, ata kanë pranuar si të rregullta faturat fiktive të paraqitura nga biznesmeni, duke manipuluar faktet mbi origjinën dhe cilësinë e produkteve.

Domatet e eksportuara rezultuan me nivele të larta të preparatit të ndaluar “Chlorefenapyr” dhe u asgjësuan nga autoritetet kroate menjëherë pas analizave laboratorike. Rasti ka shkaktuar reagime të forta dhe ka vënë në dyshim funksionimin dhe integritetin e kontrolleve zyrtare të sigurisë ushqimore në Shqipëri.