Dubai në ankth pas sulmeve, largimi nga Emiratet vetëm për ata që e përballojnë çmimin
Situata e sigurisë pas sulmeve iraniane dhe mbylljes së aeroportit të Dubait ka krijuar një valë paniku, sidomos mes shtresave të pasura, të cilat po kërkojnë çdo mënyrë për t’u larguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Avionët privatë dhe rrugët tokësore janë kthyer në alternativat e vetme, por me kosto jashtëzakonisht të larta.
Qyteti i luksit dhe turizmit global është tronditur nga sulmet me dronë dhe raketa, që erdhën si kundërpërgjigje ndaj goditjeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit. Dëmtimi i aeroportit dhe goditja e disa hoteleve e zonave të frekuentuara kanë rritur ndjeshëm pasigurinë, duke shtyrë autoritetet të rrisin masat mbrojtëse dhe të mbyllin përkohësisht përfaqësinë diplomatike në Teheran.
Me fluturimet e pezulluara, shumë persona po udhëtojnë drejt Omanit, ku aeroporti i Maskatit vijon të funksionojë, ndonëse me vonesa të shumta. Megjithatë, biletat për fluturime komerciale drejt Evropës janë thuajse të pamundura për t’u gjetur për ditët në vijim.
Në të njëjtën kohë, tregu i avionëve privatë ka shpërthyer në çmime. Një fluturim i vetëm drejt Evropës kushton dhjetëra mijëra euro, ndërsa nga Arabia Saudite çmimet arrijnë edhe në qindra mijëra dollarë. Operatorët flasin për mungesë avionësh, probleme sigurimi dhe pamundësi për të përballuar kërkesën e lartë.
Për shumëkënd, largimi nga Emiratet është shndërruar në një sfidë të vështirë, ndërsa për disa të tjerë, në një luks ekstrem që vetëm pak vetë mund ta përballojnë.










