Ballina Shqiperia ime Drejtoresha dhe mësuesja e anglishtes ngritën skemën e mashtrimit me bursa studimi...

Drejtoresha dhe mësuesja e anglishtes ngritën skemën e mashtrimit me bursa studimi në SHBA

Drejtoresha e gjimnazit ‘Qemal Stafa’, Klotilda Jaupi dhe mësuesja e anglishtes Valentina Lamaj fshihen pas skemes se mashtrimit me bursa studimi për SHBA. Burime bëjnë me dije se drejtoresha Jaupi dhe mësuesja e anglishtes Lamaj janë vënë në hetim pas zbulimit të skemës nga Policia Kriminale

Të dyja kishin ngritur një skemë mashtrimi me projektin e njohur amerikan “Let’s Talk Together About US24”, i cili pretendohej të ishte ngritur në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ambasadën Amerikane në Shqipëri.

Përmes kësaj skeme ato mashtronin nxënësit dhe studentët duke falsifikuar dokumente për ofrimin e bursave për të studiuar në universitetet e SHBA-së.

Ishte Ambasada Amerikane në Tiranë që dha alarmin për këtë skemë, ku përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se ky projekt është një skemë mashtrimi dhe nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA.

Njoftimi nga Ambasada:

Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese. U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën.

Njoftimi i policisë:

Departamenti i Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, hetime të përbashkëta me zyrtarë të zbatimit të ligjit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për zbulimin dhe goditjen e një skeme mashtrimi për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për studime në SHBA. Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës, për ushtrimin e kontrollit në banesën e shtetases V. L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit. 

Shtetasja V. L. është vënë në hetim, bashkë me shtetasen K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë mashtrimi.