Mes rreth 3 milionë faqeve të publikuara së fundmi në lidhje me dosjen e Jeffrey Epstein, rezulton edhe emri i një vajze me origjinë shqiptare, e cila në vitin 2017 ka aplikuar për një pozicion pune si asistente personale.
Sipas dokumenteve, vajza me iniciale E.T. ka dërguar aplikimin në mars të atij viti, përmes një ndërmjetësi, emri i të cilit është i redaktuar në materialet zyrtare. Në CV-në e saj thuhet se në atë kohë ajo jetonte në Paris.
Në komunikimet e brendshme, agjenti i Epstein e përshkruan kandidaten si 21–22 vjeçe dhe i kërkon këtij të fundit mendim nëse duhet ta ftojë në intervistë. Në një prej mesazheve thuhet:
“Ta ftoj në intervistë këtë? Është 21–22 vjeçe dhe jeton në Paris.”
Më pas, asistenti i Epstein i kërkon vajzës të dërgojë CV-në dhe “tre foto me cilësi të mirë”, të cilat ajo i ka përcjellë. Pas kësaj, nuk ka më korrespondencë të dokumentuar dhe nuk dihet nëse procesi ka vijuar apo nëse ajo ka pasur ndonjë lidhje pune me Epstein.
Një pjesë e madhe e dokumenteve të publikuara i përkasin periudhës kur Epstein tashmë ishte nën hetim për akuza të rënda penale. Ai u gjet i vdekur në gusht të vitit 2019 në qelinë e tij, ndërsa përballej me akuza për trafikim seksual.
Jeffrey Epstein, financier amerikan, u identifikua nga autoritetet si drejtues i një skeme të gjerë shfrytëzimi seksual, ku përfshiheshin qindra gra dhe vajza, shumë prej tyre të mitura, të abuzuara për vite me radhë.










