Ballina Shqiperia ime Dorëheqje zinxhir në Bashki dhe Drejtoritë Rajonale, por heshtje totale në Prefekturë!

Dorëheqje zinxhir në Bashki dhe Drejtoritë Rajonale, por heshtje totale në Prefekturë!

Nga Vladimir Muçaj:

Në Fier po ndodh një lëkundje institucionale e paprecedentë në vitet e fundit. Dorëheqja në bllok e drejtuesve të departamenteve të Bashkisë Fier, bashkë me krerët e Njësive Administrative, është një sinjal i qartë se rilindja institucionale e shpallur në letër ka filluar të përplasë efektet e saj në terren.
Nëse ky akt kolektiv lexohet si pastrim, është e udhës të pyetet: kujt do t’i besohet etapa e re dhe mbi ç’kriter do të ngrihen strukturat e reja?

Paradoksi qëndron përtej këtij zhvillimi të bujshëm, pasi që mbetet në hije një institucion që ligjërisht mban atributet e përfaqësimit të shtetit në nivel qarku: Prefektura e Fierit.
E heshtur dhe thuajse e padukshme në debatet publike, Prefektura është një nga ato hallka administrative që, me gjithë rëndësinë që ka, shpesh është kthyer në një zyrë formale, me fuqi të zbehur reale dhe me kapacitete njerëzore që nuk përfaqësojnë më territorin që mbulojnë.
Që prej disa vitesh, në këtë institucion vihet re një fenomen i pazakontë për një qendër të madhe urbane si Fieri: kompozimi i organikës së punonjësve nga individë të importuar nga qytete të tjera si Berati, Vlora,Lushnja apo gjetkë.
Nuk është çështje paragjykimi ndaj individëve të caktuar – as origjina nuk duhet të jetë ndonjë kriter përjashtues në një administratë moderne – por mënyra sesi ndodh kjo lëvizje, pa konkurrencë reale dhe shpesh jashtë logjikës së meritokracisë dhe përfaqësimit lokal, flet për një sistem që zëvendëson përzgjedhjen me preferencat.
A mund të përfaqësojë me dinjitet Fierin një funksionar i emëruar që nuk njeh realitetin, problematikën dhe historinë institucionale të vendit ku punon?
A është normale që një ndër qytetet më të mëdha në vend të “huazojë” specialistë nga zona të tjera, ndërkohë që vetë ka burime njerëzore pafund me përvojë, arsim dhe përgatitje profesionale të admirueshme?
Vetë drejtuesi i institucionit, Prefekti Arben Çuko, është një emër me përvojë dhe prani publike, por sërish nuk është produkt i terrenit lokal. Krah tij, në nivelet drejtuese, është dhe një tjetër “Arben” – një ish-gazetar i emëruar që prej marrëveshjes politike PS-LSI. E njëjta skemë e emërimeve me peshë politike dhe pa transparencë ka zhbërë logjikën e funksionalitetit institucional dhe e ka bërë Prefekturën e Fierit një institucion që funksionon mbi precedentë të konsumuar, jo mbi parime të freskëta të administrimit të mirë frymë kjo që kërkon të instalohet nga forca kryesore qeverisëse në vend partia socialiste.
Në një kohë kur flitet për reformë dhe për rilindje strukturore, nuk mund të përjashtohet nga vëmendja një institucion si Prefektura. Reforma reale nuk matet me numrin e dorëheqjeve, por me përmbajtjen që u jepet emërimeve të reja. E përmbajtja duhet të bazohet mbi meritë, mbi përfaqësim të denjë të komunitetit dhe mbi një identitet administrativ që respekton territorin dhe njerëzit e tij.
Nëse Bashkia po kërkon të rifreskojë vetveten, është momenti që edhe Prefektura të dalë nga zona e heshtjes dhe të kërkojë një reflektim të thellë mbi përbërjen e saj. Fieri nuk ka mungesë specialistësh. Ka mungesë vullneti për t’i kërkuar, për t’i vlerësuar dhe për t’i vendosur aty ku e meritojnë.
Është koha që zëri i Fierit të dëgjohet edhe në zyrat që sot mbeten të heshtura. Është koha që institucionet e nivelit të lartë të mos jenë më stacione tranzitore për kuadro të importuar nga diku tjetër, por ura lidhëse mes shtetit dhe qytetarëve të këtij territori. Nuk ka rilindje institucionale pa vetëdije qytetare. Dhe nuk ka përfaqësim të denjë pa njerëz që njohin, jetojnë dhe ndjejnë Fierin. Apeli nuk është vetëm për ata që marrin vendime, por edhe për ata që sot heshtin në pritje të radhës për një post. Heshtja është dritarja nga hyn mediokriteti. E në Fier, nuk ka më vend për të.