Digjitalizimi i sektorit bujqësor po konsiderohet një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të vendit dhe arritjen e objektivit ambicioz të Shqipërisë për të eksportuar 1 miliard dollarë produkte bujqësore deri në vitin 2030.
Sipas dokumentit të politikave prioritare 2027–2029, realizimi i këtij synimi, i parashikuar në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022–2030, kërkon një transformim të thellë strukturor të bujqësisë. Theksi nuk do të jetë vetëm te rritja e prodhimit, por edhe te produktiviteti, formalizimi i zinxhirit të vlerës, përmirësimi i cilësisë dhe gjurmueshmërisë, si dhe forcimi i kapaciteteve të planifikimit dhe monitorimit.
Në këtë kuadër, digjitalizimi shihet si një levë kryesore për modernizimin e sektorit dhe rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Dokumenti thekson se ka nisur hartimi i Strategjisë Kombëtare për Bujqësinë Digjitale dhe Transformimin Rural, me asistencën e FAO-s dhe në bashkëpunim me agjenci të tjera të OKB-së si ILO dhe ITU, përmes programit të përbashkët “Digital Agriculture and Rural Transformation” (DART).
Ky program trevjeçar synon ndërtimin e një strategjie gjithëpërfshirëse, të orientuar nga nevojat e fermerëve, si dhe një plan veprimi në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe objektivat kombëtare.
Strategjia pritet të përmirësojë shërbimet digjitale për fermerët, të forcojë sistemet e informacionit bujqësor, të rrisë transparencën dhe efikasitetin në përdorimin e fondeve publike, si dhe të përmirësojë koordinimin institucional.
Zbatimi i saj parashikohet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit, qëndrueshmërisë dhe reziliencës së sektorit, duke kontribuar në arritjen e objektivave strategjikë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e eksporteve, në linjë edhe me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030.










