Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ka ‘zbërthyer skenarin’ që sipas tij përdori kryeministri Edi Rama dje në Kuvend, ndërsa hodhi në propozim për nisje të procedurave për shkarkimin e presidentit Bajram Begaj.
Gazetari Osman Stafa ka siguruar për BalkanWeb detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura dje në grupin parlamentar të PD-së, ku njëzëri demokratët ishin pro protestave, madje deri te greva e urisë. Kaso tha se gjithçka ishte e mirëmenduar nga Rama në seancën e djeshme plenare.
“Seancën e sotme Rama e kishte të paramenduar. Mesazhet e shkurtra të tij në 3 min e para, ishin mesazhe që paralajmëronin çfarë do ndodhte. Pastaj nxorri Diellën për provokim. Ishte me skenar e gjitha. Mesazhi ishte i qartë i Ramës: Unë nuk pyes për parlamentin dhe për asnjeri. Kësaj situate sigurisht që duhet t’i përgjigjemi me një reagim, por reagimi nuk duhet të jetë emocional. Një protestë e vogël dhe e organizuar shpejt, një protestë pa fuqi më shumë na dëmton sesa na jep njëfarë avantazhi në raport me atë çfarë presin njerëzit dhe në raport me gravitetin e situatës.
Një protestë e vogël do përdorej nga Rama dhe do demoralizonte njerëz. Mirë do ishte që të ndërthureshin një sërë gjestesh, edhe gjeste politike siç është kërkesa për përsëritjen e seancës, siç është edhe mocioni i shkarkimit të Peleshit. Një ide tjetër mund të jetë edhe nisja e procedurës për shkarkim e Presidentit, pasi Rama duke përdorur atë ka prishur balancat e pushtetit. Strumbullari i seancës së sotme është Bajram Begaj, me dekretimin që i bëri Diellës, të cilën ia la nën përgjegjësi Ramës. Prandaj ne duhet t’i japim një mesazh atij se nuk do e tolerojmë më. Roli i Presidentit sot nuk është respektim i Kushtetutës, por zgjatim i Kryeministrit. Ta nisim procedurën për shkarkimin e Presidentit, siç e parashikon edhe Kushtetuta, dhe ne i kemi numrat prej 35 deputetësh.”, mësohet të jetë shprehur Kaso.