Një ankesë për diskriminim i ka kushtuar vendin e punës Shkëlqim Beqirajt, ish-sekretarit të përgjithshëm të Bashkisë Patos. Ai pretendon se është pushuar nga detyra menjëherë pas denoncimit në Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku kishte ngritur shqetësimin se ishte lënë i izoluar dhe trajtuar në mënyrë të pabarabartë brenda institucionit.
“Menjëherë sa jam ankuar, unë jam pushuar nga puna prej kryetarit të Bashkisë, të cilën po ashtu e kam ankimuar dhe do vazhdoj për dëmshpërblim moral. Të hidhesh në mes të katër rrugëve pa një shkak, pa një arsye, normalisht do ndihesh stres…shikon vështrimet e njerëzve. Por veç diskriminimit, janë edhe mungesa e të ardhurave, familja duhet mbajtur”, – deklaroi Beqiraj.
Sipas tij, vështirësitë nisën që pas vendimit të SPAK për ta marrë të pandehur për shpërdorim detyre. Në mars ai u pezullua nga Gjykata e Posaçme, por në shtator masa u shua dhe ai u rikthye në detyrë. Megjithatë, kthimi në punë solli për të një realitet tjetër: izolim, përjashtim nga mbledhjet dhe pagë më të ulët se vartësit.
Komisioneri kundër Diskriminimit i dha të drejtë Beqirajt, duke konstatuar se Bashkia Patos kishte shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë, kishte cenuar dinjitetin e tij dhe e kishte trajtuar në mënyrë diskriminuese.
“Mua më anashkaluan nga të gjitha funksionet, më hoqën zyrat, punonjësit e tjerë as nuk më flisnin në korridor. Nuk më fliste askush, nuk më raportonte askush, për mbledhjet nuk njoftohesha. Kryetari nuk pranonte ballafaqim. Jam paragjykuar pavarësisht se procesi nuk kishte përfunduar!”, – u shpreh ai për TCH.
Beqiraj e konsideron pushimin nga puna si një padrejtësi të re dhe thotë se tashmë është në betejë gjyqësore me Bashkinë Patos. Ai ka depozituar padi në Gjykatën Administrative të Lushnjës, me seancë të parashikuar më 18 tetor, ku kërkon pavlefshmëri absolute të vendimit për shkarkimin e tij.
“Kërkoj vetëm drejtësi! Nuk mund të trajtohesha në atë formë. Ligji për shërbimin civil ka të përcaktuar qartë si ndërpriten marrëdhëniet e punës, edhe në rastet kur je fajtor. Do ta ndjek këtë çështje deri në fund, në çdo instancë”, – përfundoi Beqiraj