Ballina Shqiperia ime Çfarë u bë më e shtrenjtë për familjet shqiptare në Gusht?

Çfarë u bë më e shtrenjtë për familjet shqiptare në Gusht?

Inflacioni i muajit Gusht të këtij viti paraqitet më i ulët se në muajin Korrik, i cili preku normën më të lartë regjistrua përgjatë vitit 2025. Muajt e verës, të ndikuar sidomos nga turizmi dhe kërkesa, patën normë të rritjes së çmimeve më të lartë.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit për muajin Gusht 2025 arriti në 119.5, duke regjistruar një rritje prej 2.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja vjetore e çmimeve u nxitur kryesisht nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, që kontribuan më shumë se gjysma e ndryshimit total. Brenda këtij grupi, vajrat dhe yndyrnat u rritën me 6.5%, qumështi, djathi dhe vezët me 3.6% dhe mishi me 3.2%. Grupi i qirave, ujit, lëndëve djegëse dhe energjisë ndikoi gjithashtu ndjeshëm, me një rritje prej 3.1% vjetore, për shkak të çmimeve globale të energjisë dhe kostove më të larta operative.

Sektori i turizmit dhe shërbimeve të lidhura me të pati ndikim të veçantë në rritjen mujore të çmimeve. Çmimet e hoteleve, kafeneve dhe restoranteve u rritën me 2.2% krahasuar me Gushtin e vitit të kaluar, për shkak të fluksit të turistëve gjatë sezonit veror. Argëtimi dhe kultura u rritën me 6.3%, duke reflektuar jo vetëm shpenzimet e turistëve, por edhe rritjen e kostove për aktivitetet kulturore dhe rekreative brenda vendit.

Çmimet e mobiljeve dhe pajisjeve shtëpiake, pijet alkoolike dhe duhani, si dhe shërbimet e transportit dhe komunikimit kontribuuan në mënyrë më të moderuar në rritjen e indeksit. Ndryshimet mujore treguan rritje më të madhe te energjia, argëtimi dhe shërbimet turistike, duke reflektuar ndikimin e sezonit veror dhe presionin nga kërkesa e lartë turistike.