Komisioni Rregullator shpalli sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 11 maj 2025.
Komisioni Rregullator votoi në parim dhe nen për nen me 3 vota pro dhe 2 kundër projektvendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Gjatë mbledhjes së Komisionit Rregullator, u miratua numri i votave, numri i mandateve dhe lista emërore e deputetëve për çdo subjekt zgjedhor, për çdo zonë zgjedhore.
Po ashtu, Komisioni Rregullator miratoi numrin e votave, numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve për çdo subjekt zgjedhor në rang vendi.
Gjatë mbledhjes anëtarët e Komisionit Rregullator Muharrem Çakaj dhe Helga Vukaj shprehën votën e tyre kundër këtij certifikimi.
Çakaj tha se “pata shpresë së SPAK do ta luftonte krimin zgjedhor, por çfarë ndodhi, nuk kemi asnjë ndëshkim të krimit zgjedhor. Krim zgjedhor kishte, vetëm KQZ dhe SPAK nuk e pa”.
Ndërsa Vukaj u shpreh se “këto zgjedhje nuk ishin të lira, ishin larg standardeve, rezultatet nuk ishin reale dhe jemi në një regjim. Në këto kushte deklaroj votën time kundër këtij rezultati”.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, brenda 5 ditëve nga shpallja e tij.
Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste mori 83 mandate, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore 50 mandate. Partia Socialdemokrate 3 deputetë, partia “Mundësia” 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.