Ballina Shqiperia ime Celibashi përsërit thirrjen: Kandidatët nuk mund të vëzhgojnë procesin e votimit!

Celibashi përsërit thirrjen: Kandidatët nuk mund të vëzhgojnë procesin e votimit!

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në konferencën e parë për mediat gjatë ditës së zgjedhjeve, informoi mbi ecurinë e procesit të votimit në rang vendi, duke theksuar se situata paraqitet përgjithësisht normale, pavarësisht disa problematikave të izoluara.

Sipas Celibashit, në katër qendra votimi në Dropull, mungesa e operatorëve ka detyruar komisionerët të kalojnë përkohësisht në identifikimin manual të votuesve. “Janë disa problematika që lidhen me organizimin, siç është mungesa e operatorëve në Dropull. Megjithatë, votimi po vijon normalisht”, deklaroi ai.

Kreu i KQZ-së ngriti gjithashtu shqetësimin për praninë e kandidatëve për deputetë pranë qendrave të votimit, gjë që është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. “Kemi pasur raportime nga të dyja krahët politikë për prani të kandidatëve në qendrat e votimit. Disa kanë shfaqur dëshirë të vëzhgojnë procesin, pa e ditur ndalimin ligjor. Kandidatët nuk mund të jenë vëzhgues gjatë votimit – kjo e drejtë u takon vetëm gjatë numërimit,” sqaroi Celibashi.

Ai shtoi se ka patur një rast të raportuar për intimidim ndaj votuesve, që po verifikohet, ndërsa bëri apel për respektimin e rregullave ligjore nga të gjitha palët për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.