Buka shqiptare nën varësinë e Serbisë

Importet shqiptare të drithërave kanë pësuar ndryshime të thella gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, të ndikuara jo vetëm nga zhvillimet ekonomike, por edhe nga krizat gjeopolitike që kanë tronditur tregjet botërore të ushqimit. Edhe pse shumat e shpenzuara për blerjen e drithërave kanë mbetur të larta, hartëzimi i vendeve furnizuese ka ndryshuar ndjeshëm, veçanërisht pas vitit 2022.

Në vitin 2015, Shqipëria varej kryesisht nga Rusia për furnizimin me drithëra, e cila siguronte rreth 42% të importeve. Serbia ishte burimi i dytë më i madh me afërsisht 27%, ndërsa pjesa tjetër mbulohej nga vende si Italia, Spanja, Greqia dhe disa tregje më të vogla.

Kjo strukturë nisi të lëkundej pas vitit 2020, por goditja vendimtare erdhi me nisjen e luftës në Ukrainë. Në vitin 2022, edhe pse Rusia vazhdoi të ishte një nga furnizuesit kryesorë, pengesat tregtare, problemet e transportit dhe rritja e kostove bënë që ndikimi i saj të zbehej. Deri në vitin 2023, pesha e saj ra në rreth 22%, duke u lënë pas nga Serbia për herë të parë.

Në të njëjtën kohë, Serbia u shndërrua në partnerin kryesor të Shqipërisë për drithërat, duke arritur një pjesë prej 36.5% të importeve në vitin 2023.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm ishte hyrja më e fortë e Ukrainës në tregun shqiptar. Nga një rol thuajse i papërfillshëm para vitit 2020, Ukraina arriti të mbulojë deri në 13.5% të importeve në vitin 2023, si rezultat i përpjekjeve për të mbajtur të hapura rrugët e eksportit të grurit gjatë konfliktit. Megjithatë, ky rol u dobësua sërish dhe në vitin 2025 pesha e saj ra ndjeshëm.

Krahas këtyre lëvizjeve, Shqipëria ka zgjeruar gradualisht gamën e furnizuesve. Italia, Greqia dhe Spanja kanë ruajtur një prani të qëndrueshme, ndërsa pas vitit 2022 janë shtuar ndjeshëm importet nga vende si Kanadaja, Kina dhe Maqedonia e Veriut.

Në vitin 2025, panorama e furnizimit është e qartë: Serbia kryeson me 36.5% të importeve totale të drithërave, duke u konfirmuar si burimi kryesor. Rusia vjen e dyta me 29.6%, duke mbetur një aktor i rëndësishëm, por larg dominimit që kishte përpara luftës në Ukrainë. Pjesa tjetër ndahet mes disa vendeve, ku Italia ka 5.2%, Maqedonia e Veriut 4.2%, Ukraina 2.7%, ndërsa Kroacia, Kina dhe Kanadaja kontribuojnë secila me rreth 2.4%.

Nga ana e bilancit tregtar, Shqipëria vazhdon të jetë një importues neto i drithërave. Eksportet janë shumë më të vogla se importet dhe shfaqin luhatje të mëdha nga viti në vit, me një rritje të pazakontë në vitin 2022, e cila u pasua nga një rënie në vitet në vijim. Kjo tregon se vendi mbetet i ndjeshëm ndaj goditjeve të tregjeve ndërkombëtare të ushqimit, veçanërisht për shkak të flukseve drejt Kosovës.