Ballina Shqiperia ime Bujqësia merr 16.5 milionë euro më shumë – Si shpërndahen financimet

Bujqësia merr 16.5 milionë euro më shumë – Si shpërndahen financimet

Rreth 16.2 miliardë lekë, ose 168 milionë euro, do të shpenzohen për sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2026. Sipas draftbuxhetit të qeverisë, fondet për këtë sektor janë rritur me 1.6 miliardë lekë (rreth 16.5 milionë euro) krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2025. Megjithatë, ekspertët e konsiderojnë këtë nivel mbështetjeje ende të ulët për të përballuar nevojat e sektorit në rritjen e prodhimit, cilësisë dhe eksportit.

Si shpërndahen fondet

  • Zhvillimi rural dhe mbështetja e fermerëve përbën zërin më të madh në buxhet, me 7.7 miliardë lekë të dedikuara për subvencione, prodhimin bujqësor e blegtoral, si dhe për sektorin agroindustrial. Krahasuar me vitin e kaluar, ky zë ka një shtesë prej 500 milionë lekësh (rreth 5 milionë euro).
  • Ujitja dhe kullimi do të përfitojnë 3.6 miliardë lekë, me një shtesë prej rreth 7 milionë eurosh. Qeveria synon përmirësimin e infrastrukturës hidrike, e cila konsiderohet vendimtare për produktivitetin bujqësor.
  • Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit do të financohen me 2.9 miliardë lekë, një shtesë prej 3 milionë eurosh. Ky sektor mbetet sfidues, pasi gjatë vitit 2025 disa ngarkesa të produkteve shqiptare për eksport janë kthyer mbrapsht për shkak të mbetjeve të larta të pesticideve.
  • Peshkimi do të mbështetet me 580 milionë lekë, një rritje e lehtë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa 819 milionë lekë janë planifikuar për këshillimin e fermerëve dhe informacionin bujqësor, me një shtesë prej 60 milionë lekësh.
  • Menaxhimi i qëndrueshëm i tokës bujqësore do të financohet me 25 milionë lekë.

Lehtësira fiskale për fermerët

Përveç rritjes së fondeve, buxheti i 2026 përfshin edhe një politikë të re fiskale që synon të lehtësojë barrën e fermerëve përmes rishikimit të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë. Sipas draftit, fermerët do të kompensohen me 10% të TVSH-së së paguar për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për prodhim. Efekti financiar i kësaj mase vlerësohet në rreth -1.5 miliardë lekë në të ardhurat buxhetore.