Ballina Ekonomi Bostani shqiptar, produkti më i kërkuar në botë! – Vetëm në 8...

Bostani shqiptar, produkti më i kërkuar në botë! – Vetëm në 8 muaj u eksportuan 54.6 mijë ton në tregjet e huaja

Sasia e produkteve të prodhuara në tokën shqiptare që kanë shkuar në tregjet botërore ka arritur në 361.994 ton deri në muajin Gusht 2025.

Krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit të kaluar, volumi i eksporteve është rritur me 9.1%.

Por cilat janë produktet më të kërkuara nga konsumatorët e huaj?

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të siguruara nga SCAN TV, tregojnë se ndër produktet më të eksportuara përgjatë këtij viti janë pjepër dhe shalqi, domate,  tranguj dhe kërpudha.

Në vendin e parë qëndrojnë produktet pjepër dhe shalqi me 54.6 mijë ton të eksportuara vetëm në 8 muaj, duke regjistruar një rritje prej 12.4 ton. Vlera e bostanorëve të eksportuara arriti në 12.9 milionë euro nga 10 milionë euro në 2024-ën.

Këto produkte duket se kanë lënë nën hije domaten shqiptare e cila ka një sasi ndjeshëm më të ulët në eksport, ndërsa ka pësuar rënie në raport me 2024-ën. Në 8 muaj janë eksportuar vetëm 18 mijë ton domate me vlerë 11.3 milionë euro nga 25.3 mijë ton të eksportuara në të njëjtën periudhë të 2024-ës me vlerë 18 milionë euro.  Ndërsa gjatë këtij viti janë eksportuar gjithashtu edhe 5.6 mijë ton tranguj dhe 6.4 mijë ton kërpudha.

Trendi rritës i eksporteve është tregues se politikat mbështetëse për fermerët dhe rritja e standardeve të prodhimit po japin rezultatet e pritshme.

Objektivi ambicioz i qeverisë është  që përmes instrumenteve të mbështetjes, siç është Skema Kombëtare, Skema e Investimeve, Garancia Sovrane apo linja e kredisë së butë, që deri në vitin 2030 vlera e eksporteve të produkteve bujqësore të arrijë në 1 miliardë euro.

Scan