Blerja e trenave për operimin e hekurudhës Tiranës – Durrës – Rinas duket se do të mbulohet me fonde buxhetore, teksa në projektbuxhetin për vitin 2026 janë akorduar 350 mln lekë për këtë qëllim. Referuar investimeve të detajuara, kosto totale e projektit përllogaritet në 1 mld lekë, teksa pjesa tjetër e financimit është parashikuar në vitet 2027 dhe 2028, me respektivisht 350 dhe 300 mln lekë.
Sa i takon këtij projekti hekurudhor në buxhetin e vitit 2026, janë akorduar edhe 400 mln lekë për punimet që do të kthejnë stacionin e trenit në Tiranë. Projekti kushton në total 1.8 mld lekë, ndërsa segmenti ka një gjatësi prej 4 km dhe nis nga terminali i transportit publik pranë kthesës së Kamzës dhe përfundon aty ku ka qenë stacioni trenit në kryeqytet.
Ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës – Rinas përfundon vitin e ardhshëm, ndërkohë që sipas autoriteteve elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve synohet të përmbyllet në 3 – mujorin e parë 2027.
Aktualisht, për përfundimin e kësaj linje janë duke u zbatuar 2 kontrata, një për ndërtimin e linjës dhe një për stacionet. Për kontratën e parë, që përfshin punimet civile dhe sinjalizim – telekomunikacionin, sipas Hekurudha Shqiptare janë realizuar 90% e punimeve dhe kanë mbetur për t’u finalizuar instalimet e brendshme në lidhje me sistemet e sinjalizim – telekomunikacionit, që lidhen ngushtë me ecurinë e punimeve të godinave të stacioneve. Përsa i përket këtyre të fundit, aktualisht janë kryer rreth 25% e punimeve, ndërsa finalizimi i tyre pritet në maj të vitit 2026. Paralelisht, për këtë vepër hekurudhore është duke u zhvilluar tenderi me 2 faza për elektrifikimin, një procedurë që drejtohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.











