Blegtorët në protestë para Ministrisë së Bujqësisë

Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” janë mbledhur përpara Ministrisë së Bujqësisë për të protestuar për skemën kombëtare 2026.

Disa nga pankartat e tyre mbajnë thirrje si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit”, “Bojkotoni firmat serbe” etj.

“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, është thirrja e tyre.

Subvencionimi është një nga kërkesat e tyre më të shprehura

“Kërkojmë subvencione si gjithë rajoni. Kemi 7-8 herë më pak subvencione sesa rajoni. Me kë duhet të konkurrojmë ne? Kërkojmë naftë pa taksa për fermerët ose të bëjë një rregullim qeveria për taksën e qarkullimit”, thonë ata duke kërkuar edhe një laborator për sigurinë e produkteve.

Thirrja e tyre është për kostot e ushqimit të bagëtive, karburantin, shpenzimet bazë dhe pamjaftueshmërinë e mbështetjes nga shteti.

Gjithashtu ata rendisin informalitetin dhe TVSH-në e pabarabartë si faktorë që krijojnë vështirësi për fermerët shqiptarë.

“Qeveria të ngrejë një bord për produktet e shportës sepse nuk arrijmë dot të konkurrojmë fermerin evropian ose të rajonit”, thanë fermerët.

Sot ata janë në pritje të formalizimit të një takimi me ministrin e Bujqësisë dhe ministren e Financave.