Kreu i partisë Demokratike Sali Berisha në “Foltoren” para kryeministrisë i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht kundër regjimit dhe korrupsionit.
Berisha u shpreh beteja për dinjitetin vazhdon dhe se nuk do të ndalet, Gjithashtu akuzoi kryeministrin Rama se ka kthyer Shqipërinë, ‘në portën kryesore të trafikut të drogës’. Më tej nënvizoi se në protesta do të dalin deri në fitore.
“Ju përfaqësoni guximin, kurajën, vendosmërinë. I përshëndes të gjithë ata shqiptarë që lebetitën një regjim antishqiptar, një regjim armik të kombit. Me protestën e tyre dërguan në të katër anët e botës, mesazhin e qytetarëve shqiptarë që nuk pajtohen kurrë me një regjim që i plaçkit çdo ditë. Nuk pajtohen me regjimin që e ka shndërruar Shqipërinë në portën kryesore të helmeve të drogës. Kjo betejë është për dinjitetin tonë, dinjitetin kombëtar”, tha Berisha, duke shtuar: “Nuk e kemi të lehtë, por jemi të vendosur. Ne do të luftojmë këtu do bëjmë gjithçka të përmbysim këtë të keqe dhe për t’i kthyer ëndrrën shqiptarëve”.










