Berisha: PS po shpërndan para për zgjedhjet lokale! Ja kur do i prezantojmë kandidatët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj mazhorancës gjatë konferencës për mediat, duke e akuzuar Partinë Socialiste për përdorimin e fondeve në funksion të zgjedhjeve lokale të vitit 2027.

Berisha deklaroi se, sipas tij, PS po shpërndan fonde për përfitues lokalë, ndërsa theksoi se edhe PD ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.

“PS po shpërndan para për zgjedhjet lokale. PS po shpërndan 1.5 miliardë euro për hajdutët lokalë. Padyshim që PD po përgatitet për zgjedhjet lokale të vitit 2027. Kjo është periudhë ku PD e ka fokusin tek zgjedhjet lokale”, deklaroi Berisha.

Ai foli gjithashtu për vizitën e planifikuar në SHBA, duke sqaruar se do të marrë pjesë në një konferencë të Partisë Republikane Amerikane në Teksas, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet “mid-term”.

“Unë shkoj në Teksas në një konferencë të Partisë Republikane Amerikane për zgjedhjet mid-term. Unë jam në një delegacion të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, që jam i ftuar për të marrë pjesë në këtë konferencë”, u shpreh ai.

Berisha u ndal edhe te Reforma Territoriale, duke kundërshtuar ndarjen e re të propozuar nga mazhoranca. Sipas tij, përpara çdo vendimmarrjeje duhet të merret parasysh vullneti i qytetarëve.

Ai tha se PD mbështet zhvillimin e një referendumi për këtë çështje, duke e konsideruar përfshirjen e qytetarëve si një element të rëndësishëm të reformës.