Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar detaje nga organizimi i protestës së paralajmëruar për datën 10 shkurt para Kryeministrisë.
Gjatë një deklarate publike, Berisha u shpreh se një nga opsionet që po shqyrtohet është edhe qëndrimi i protestuesve në shesh pa afat, deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Sipas tij, gjithçka varet nga përfshirja e qytetarëve dhe nga ajo që ai e cilësoi si “kryengritje paqësore”.
“Gjithçka varet nga kryengritja jonë paqësore që s’duhet të ndalet kurrë deri në rrëzimin e Edi Ramës. Protesta e 10 shkurtit është paralajmërimi më serioz për largimin e tyre nga pushteti”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se shumë qytetarë kanë kërkuar që protesta të mos mbyllet pa u arritur qëllimi politik.
“Ka me qindra qytetarë që kërkojnë me të drejtë që të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë. Kjo është rruga e vetme për të larguar këtë regjim,” u shpreh kreu i PD.
Berisha theksoi se realizimi i këtij skenari kërkon angazhim të vazhdueshëm për të bindur qytetarët që të qëndrojnë në shesh deri në ndryshimin e pushtetit.
“Secili nga ne duhet të bindë gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh është rruga më e sigurt e fitores,” tha ai.
Në përfundim, Berisha u shpreh se sipas tij, largimi i Edi Ramës është i pashmangshëm.









