Ballina Shqiperia ime Berisha: Me 11 Maj qytetarët e Beratit dhe mbarë Shqipërisë ftohen në...

Berisha: Me 11 Maj qytetarët e Beratit dhe mbarë Shqipërisë ftohen në vendimin e historik

FJALA E BERISHES

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Beratit, Kuçovë, Skraparit, Dimalit, të të gjithë këtij qarku, në këtë shesh, kudo që jeni në Berat, në Shqipëri dhe në diasporë.

Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për mbështetjen tuaj, për energjinë, entuziazmin, optimizmin që ju i dhatë kësaj fushate.

Për shpresën që mbollët çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë anembanë Beratit.

Për optimizmin tuaj, besimin e madh tek fitorja e thellë e 11 Majit, fitorja juaj, fitorja e çdo qytetari shqiptar, fitorja e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

I dashur zoti Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, aleat i PD që në themelimin e saj.

I dashur zofi Filip Grifin, mik i shquar i PD, përfaqësues i kryestrategut të fitores më të madhe, më të jashtëzakonshme në historinë elektorale të botës, Chris LaCivita, fitores së presidentit Donald Trump.

I dashur zoti Eno Bozdo, udhëheqës politik i PD dhe ASHM për qarkun e Beratit.

Të dashur kryetarë të degëve të PD.

Të nderuar kandidate dhe kandidatë për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë të qarkut të Beratit, përfaqësues dinjitozë të qytetarëve të këtij qarku, krenari e vërtetë për PD, por krenari edhe për Beratin dhe Shqipërinë.

Miqtë e mi, e diela është nesër.

Në duart tona është më afër se kurrë, më e sigurt se kurrë, fitorja e shumëpritur, fitorja e merituar. Fitorja e çdo opozitari dhe çdo shqiptari që ndjen në dejet e tij gjak shqiptari.

Me 11 Maj qytetarët e Beratit dhe mbarë Shqipërisë ftohen në vendimin e tyre historik, në vendimin e tyre ndoshta vendimin më të rëndësishëm të jetës së tyre, për t’u ndarë me një të keqe të madhe, që në mënyrën më të pamerituar i varfëroi ata nga viti në vit, 12 vite me radhë.

Që në mënyrën më të pamerituar dhe jashtë çdo imagjinate, la klasat e shkollave tona pa nxënës. Shtëpitë pa fëmijë, djepet bosh, të moshuarit në vetmi të thellë dhe të frikshme.

Asnjë shqiptar, kurrë nuk mund të imagjinonte një Shqipëri të tillë në vite lirie. Po kjo Shqipëri sot është një realitet.

Është një realitet, sirenat e të cilit bien për çdo shqiptar, ta shpëtojmë këtë vend, ta ndalim këtë të keqe me vetëdijen tonë, me përgjegjësinë tonë, me atdhetarinë tonë si shqiptarë.

Miq, vetëm javët e fundit po të marrësh lajmet janë aq të trishta, aq të zymta për ne si komb, më të zymta se për çdo komb tjetër që nuk është në luftë.

Njoftohet se ne sot kemi lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit.

Njoftohet se ne, prej kaq vitesh, kemi shumë më tepër vdekje se sa lindje.

Dje isha në Mat, një rreth i madh, jo i vogël, një rreth me pasuri përrallore, 13 lindje kishte pasur në një vit.

Imagjinoni. Kjo kudo. Një boshatisje. Një zbrazje.

Ndaj dhe 11 Maji nuk është një ditë për partitë, është një ditë për çdo qytetar që pranon përgjegjësinë që ka ndaj vetes së tij, familjes së tij, ndaj Berastit dhe Shqipërisë.

Pra pranon përgjegjësinë qytetare, pranon përgjegjësinë kombëtare.

Kështu që unë kam besimin më të madh se shqiptarët presin me padurim këtë ditë për të qenë në lartësinë, në orën e mençurisë së tyre, në orën e dashurisë së tyre për familjen, për Beratin dhe kombin.

Në orën e përgjegjësisë së tyre para atyre që nuk janë dhe atyre që do jenë, për të përmbushur detyrimet tona.

Miq, Tomasi ishte këtu në këtë platformë zëri i të rinjve shqiptarë, nga të cilët këto 10 vite, 620 mijë, me statistikën evropiane, kanë ikur vetëm në vendet evropiane.

Pra, shtrohet një alternativë shumë e rëndë para nesh: do kemi ne si komb rini apo do mbetemi krejtësisht pa rini.

Kjo në fakt është alternativa të jesh apo të mos jesh.

Kjo në fakt është alternativa para të cilës kombi nuk ka qenë ndonjëherë në të gjithë ekzistencën e tij.

Por unë besoj se të gjithë ne, se shqiptarët kësaj alternative do i përgjigjen me një besim të fuqishëm te Shqipëria dhe te ardhmja.

Unë dua të siguroj Tomasin se qëllimi më madhor i programit të PD, i programit të opozitës shqiptare, është të sjellë kombin në rininë e tij. Të sjellë kombin shqiptar në moshën e rinisë.

Dhe kjo në njëfarë mënyre duke parë realitetin, të duket se është njëlloj si të shpallësh se do kalosh detin në këmbë.

Por jo, nuk është ashtu.

Ju i shihni sheshet mbushen. Ju e shihni se energjia, entuziazmi shpërthen në katër anët.

Kjo është shpresa e pashuar e shqiptarëve se kombit do rikthehet në rininë e vet, se kombi do kthehet në të ardhmen e vet.

Ndaj dhe unë këtu nga Berati shpall zotimin solemn të Aleancës për Shqipërinë Madhështore se sistemi arsimor i Shqipërisë do jetë sistemi më modern, sistemi që punëson.

Shkollat dhe universitetet do funksionojnë në partneritet të plotë me ndërmarrjet publike dhe private.

Kjo do të thotë se çdo universitet, publik apo privat, do lidhë marrëveshje me kompani për të ofruar praktikë të integruar në program dhe do përfitojë mbështetje për të gjithë praktikën që do ofrojë për studentët dhe të diplomuarit që ndjekin këto praktika.