Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh sot se “Edi Rama nuk do të cënojë zgjedhjet e 11 majit”, pasi sipas tij “ka marrë paralajmërime nga SHBA”.
Gjatë një bashkëbisedimi online me ndjekësit, Berisha kujtoi deklaratën e Chris LaCivita kur tha se Rama nuk duhet të luajë me zgjedhjet se në të kundërt pasojat do të bien mbi të”.
Pjesë nga bashkëbisedimi i Berishës:
Pyetje: PD do të shkojë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër? Ka ndryshime në qëndrime?
Sali Berisha: Ndryshime të mëdha kanë ndodhur. Rama bën gjithçka por prozhektorë të fuqishëm janë drejtuar drejt Shqipërisë. Ka një shkërmoqje të paparë. Është e vërtetë se ka dy muaj që këndojnë himnin e hajdutit, përpiqen të mbrojnë Erion Veliajn. Nga ana tjetër, tre rezoluta ndërkombëtare kanë denoncuar botërisht Edi Ramën si njeriun e farsës elektorale zgjedhore. Dhe nga ana tjetër, atij i erdhi një paralajmërim shumë i fortë nga Kryetari i Komunitetit Ndërkombëtar Republikan, Chris LaCivita i cili e paralajmëroi të mos luajë me zgjedhjet pasi pasojat do të bien mbi të. Është ky kompleks faktorësh, është edhe një klimë siç e keni ndjerë në diasporë e cila është e krahasueshme me ’91-’92 që paralajmëron përmbysjen e pashmangshme të narkodiktaturës në datën 11 maj.