Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mbajti fjalën hapëse në takimin “Partneriteti për Bashkëpunim Transatlantik në Energji” (P-TEC), një nismë e organizuar nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, qeverisë greke dhe Qendrës Globale të Energjisë në Këshillin Atlantik.
Në këtë aktivitet morën pjesë Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, dhe ministra të energjisë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë edhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku.
Fokusi kryesor i takimit ishte siguria dhe diversifikimi i burimeve energjetike, me theks të veçantë në uljen e varësisë nga gazi rus dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve përmes korridoreve të reja të furnizimit. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës energjetike dhe nxitjes së investimeve të përbashkëta për një të ardhme më të qëndrueshme.











