Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Komisioni Evropian është njohur në detaje me procesin administrativ të dokumentuar lidhur me projektin në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, duke publikuar edhe deklaratën e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
Sipas Ramës, qëndrimi i komisioneres bazohet në fakte dhe qartëson pozicionin e Bashkimit Evropian lidhur me projektin dhe detyrimin për respektimin e standardeve mjedisore.
Në një deklaratë për shtyp nga Brukseli, Marta Kos vlerësoi Shqipërinë si një nga vendet pararojë në procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar progresin e bërë në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
Ajo bëri të ditur se Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe po ndjek nga afër zhvillimet që lidhen me projektin në zonën Pishporo–Nartë.
Sipas komisioneres, çdo projekt në Shqipëri duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht me kërkesat e Kapitullit 27 të negociatave për anëtarësim, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Kos theksoi se çështjet që lidhen me projektin duhet të sqarohen plotësisht përpara mbylljes së këtij kapitulli, e planifikuar deri në fund të vitit 2027.
Ajo konfirmoi gjithashtu se Komisioni Evropian ka marrë garanci nga qeveria shqiptare për kryerjen e një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis dhe respektimin e standardeve evropiane.
“Procesi i anëtarësimit është juridikisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet monitorimit të vazhdueshëm. Kjo përbën garancinë më të fortë për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit në Shqipëri”, u shpreh komisionerja.
Kos vlerësoi edhe respektimin e së drejtës për të protestuar në Shqipëri, duke e cilësuar atë një të drejtë themelore për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian










