BE ka investuar 830 milionë euro në Shqipëri, 60% për transportin dhe hekurudhat

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka financuar rreth 830 milionë euro për Shqipërinë deri në fund të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të institucionit. Sektori i transportit ka qenë përfituesi kryesor, duke përthithur rreth 60% të totalit, ose 474,5 milionë euro.

Pesha kryesore e këtyre fondeve ka shkuar për rehabilitimin e hekurudhave, ku spikasin dy projekte madhore:

  • Në prill 2025 u nënshkrua marrëveshja për financimin e 90 milionë eurove për rehabilitimin e linjës Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII. Nga kjo shumë, 60,5 milionë euro janë grant, ndërsa 30 milionë euro kredi e butë.
  • Në mars 2024, BEI akordoi një kredi prej 100 milionë eurosh për rehabilitimin e hekurudhës Vorë–Hani i Hotit, një nga boshtet kryesore hekurudhore të vendit.

Energjia renditet si sektori i dytë më i financuar, me 188,9 milionë euro, ku spikat kredia 105 milionë euro për gazsjellësin Trans-Adriatic Pipeline (TAP).

Në sektorë të tjerë, financimet janë shpërndarë si më poshtë:

  • Ujësjellës-kanalizime: 110,1 milionë euro
  • Linja kreditimi për biznesin: 30 milionë euro
  • Arsimi: 12,5 milionë euro
  • Zhvillimi urban: 7,3 milionë euro
  • Shërbimet: 4,5 milionë euro

Banka Evropiane e Investimeve, në pronësi të 27 qeverive të Bashkimit Evropian, është një nga investitorët dhe kreditorët më të mëdhenj globalë. Ajo siguron fonde nga tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe i jep ato hua me kushte të favorshme për projekte që përmbushin standardet e saj.

BEI ka nisur financimin e Shqipërisë që në vitin 1995, ndërsa vitin e kaluar ka hapur edhe zyrën e saj të përfaqësisë në Tiranë, duke forcuar më tej praninë në vend.