Në aktivitetin e organizuar në Parkun Arkeologjik të Apollonisë me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, drejtuesja politike e PS në qarkun Fier, Belinda Balluku, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike si bazë për ndërtimin e së ardhmes.
Balluku u shpreh se zgjedhja e Apollonisë për këtë aktivitet nuk ishte e rastësishme, pasi synon të përcjellë mesazhin se e ardhmja nuk mund të ndërtohet pa rrënjë dhe pa respekt për historinë.
“E zgjodhëm Apolloninë për të dhënë një mesazh. Njeriu nga natyra ka tendencë të ëndërrojë të ardhmen, por pa rrënjët dhe memorien nuk mund të ndërtojë një të ardhme. Kemi ardhur për të kujtuar ata që vendosën në themel të PS-së kontributin dhe sakrificën e tyre”, tha ajo.
Duke iu referuar rolit të të rinjve në qarkun e Fierit, Balluku vlerësoi angazhimin e tyre në proceset zgjedhore, duke theksuar se kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve të majit.
“Krenarisht e them se qarku i Fierit ka një rini të mrekullueshme që ka kontribuar në fitoren e majit, ku shkruam historinë me 12 mandate”, deklaroi Balluku.










