Balluku kërkesë në GJKKO për heqje të masës së sigurisë “pezullim nga detyra”

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku ka depozituar në GJKKO kërkesë për heqje të masës së sigurisë “pezullim nga detyra” vendosur ndaj saj lidhur me hetimet qe po kryen SPAK.

Gjyqtari që do shqyrtojë kërkesën është Erion Çela, i cili më herët ka firmosur masat e sigurisë ndaj saj dhe dy ish-vartësve të saj Erald Elezi dhe Gentian Gjyli.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion firmosi vendimin për “pezullim nga detyra” e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë për Belinda Ballukun në nëntor. Më 26 shkurt, kryeministri Edi Rama lajmëroi shkarkimin e saj nga detyra.

Pavarësisht shkarkimit, kërkesa për heqjen e masës së sigurisë lidhet me faktin se pezullimi nga detyra është një vendim gjyqësor që mbetet në fuqi deri sa të shfuqizohet nga gjykata. Juridikisht, kjo masë mund të kufizojë ushtrimin e funksioneve të tjera publike dhe përdoret nga prokuroria për të shmangur ndikimin e mundshëm në hetime.

Në këto kushte, GJKKO pritet të vendosë nëse masa e sigurisë do të vazhdojë të mbetet në fuqi apo do të hiqet, ndërsa hetimet e SPAK ndaj ish-zv.kryeministres vijojnë.