Ballina Aktualitet Balluku ironizon opozitën në Kuvend

Balluku ironizon opozitën në Kuvend

Screenshot

Në seancën plenare të sotme, zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, iu përgjigj akuzave të opozitës me nota ironie.

“Për shqetësimin që keni për ministrat që nuk marrin kohën e duhur, duke parë tkurrjen e votave që keni në një trend të vazhdueshëm, zgjedhje pas zgjedhjesh, ne kemi vendosur t’ju lemë më shumë hapësirë për t’u promovuar,” u shpreh Balluku.

Ajo shtoi se ministrat kanë vëmendjen publike dhe mediatike për të treguar punën e tyre, ndërsa opozita duhet të shfrytëzojë kohën në Kuvend për të artikuluar qëndrime konkrete.

Në vijim, zv/kryeministrja iu referua edhe raportimeve të DASH, duke ironizuar demokratët:

“Jeni një parti me një person të shpallur nga DASH. DASH është apo nuk është për ju bibël? Nëse po, duhet t’i referoheni pa i shtrembëruar dhe masës ekstreme ndaj liderit tuaj.”

Sa i përket investimeve të huaja, Balluku tha se vetëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit janë rritur me 8 milionë euro krahasuar me periudhat e mëparshme, duke arritur në 756 milionë euro.

Duke iu kthyer akuzave të opozitës për dëmtim të imazhit të vendit, ajo theksoi:

“Ju investoni për t’i prishur imazhin vendit. Kur hidhni akuza, vëri emra! Asnjë nga ne nuk ka qenë në Aruba. Nëse ke informacion, thuaje hapur.”

Seanca u shoqërua me debate të ashpra, ndërsa opozita në një moment e braktisi sallën. Deputeti Korreshi, që hyri më vonë, u përball me ironi edhe nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.