Balla: Në 2024 rritim pagat në Polici

Balla: Në 2024 rritim pagat në Polici

69
SHPËRNDAJE

Qeveria shqiptare pritet të rritë pagat për nivelet bazë të Policisë së Shtetit nga viti 2024.

Gjatë një takimi ditën e hënë me Njësinë Detare në Vlorë, ministri i Brendshëm Taulant Balla vlerësoi rezultatet e njësive të posaçme të Policisë në mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Ai tha se vëmendja tanimë duhet të jetë përmirësimi i kushteve të punës dhe shpërblimi financiar.

Po shkoj në të gjitha repartet tona, komisariatet dhe drejtoritë për të garantuar se mbështetja e qeverisë, e kryeministrit Rama, do të vazhdojë të jetë edhe më e madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit. Na duhet që ta rrisim dhe ta përmirësojmë trajtimin financiar dhe unë jam shumë i sigurt që në buxhetin e vitit 2024, ne do të kemi një rritje të dukshme të pagave për nivelet bazë të Policisë së Shtetit,” u shpreh ministri Balla.

Për shefin e dikasterit të mbrojtjes, njësitë e Policisë duhet ta vazhdojnë punën e mirë, sidomos gjatë këtij sezoni turistik, që Shqipëria të shihet si një vend i sigurt për çdo pushues vendas e të huaj.

Gjej rastin të falënderoj të gjithë juve këtu, sepse të gjithë jeni përfshirë, edhe në rastet e ndihmës së menjëhershme ndaj personave të cilët kanë pasur problematika në det, apo edhe të humbur, qoftë në Karaburun apo në zona të tjera, ku falë gatishmërisë suaj, është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi, jo vetëm i turistëve vendas, por edhe të huaj, siç ishte rasti i një qytetareje italiane gjatë javës që kaloi,” shtoi ministri.

Sipas Ballës, fokusi nuk duhet të largohet nga goditja sistematike e fenomeneve kriminale dhe e atyre që zbulojnë informacione konfidenciale të operacioneve policore.

Unë mendoj që jemi në rrugën e mbarë për të prerë fijet brenda Policisë së Shtetit që rrjedhin informacion dhe tradhtojnë aksionet e Policisë së Shtetit. Sot jemi në fakt në një ditë të hidhur për Policinë e Shtetit, sepse 20 vite më parë, Komisar Gani Malushi, u godit nga dora e krimit. Dhe ndërkohë, 14 vite më parë, në një aksion policor, 4 oficerë të strukturës sonë të posaçme ranë në krye të detyrës gjatë një operacioni për arrestimin e një personi shumë të kërkuar.

Këto janë dy momente për të kuptuar që sa herë që kemi problematika të rrjedhjes së informacionit, kjo sjell, do të thoja unë, edhe një karshillëk dhe tradhti ndaj të gjithë atyre që kanë dhënë jetën e tyre si “Dëshmorë të Atdheut”, në radhët e Policisë së Shtetit.

S'KA KOMENTE