Ballina Bota Avokati izraelit bën thirrje për paqe pasi humbi dy vajzat, bashkëshorten dhe...

Avokati izraelit bën thirrje për paqe pasi humbi dy vajzat, bashkëshorten dhe kunatën nga raketat iraniane

Një tragjedi e rëndë personale pasqyron përmasat njerëzore të konfliktit të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme.Avokati izraelito-arab Raja Khatib ka ndarë me lot në sy dhimbjen e pakufishme, pasi humbi gruan, dy vajzat dhe kunatën nga një raketë e lëshuar nga Irani që goditi shtëpinë e tij në qytetin Tamra, në lindje të Haifës, të shtunën mbrëma.

“Kam humbur lulet e jetës sime. Një javë më parë ishim në udhëtim jashtë vendit, të lumtur dhe plot gëzim. Tani, gjithçka është kthyer në dhimbje dhe katastrofë”, tha Khatib për mediat vendase.Raketa goditi një ndërtesë dykatëshe elegante, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që i mori jetën vajzave të tij Hala (13 vjeç) dhe Shada (20), bashkëshortes Manar, si dhe kunatës së tij, e quajtur gjithashtu Manar.

“Çdo gjë u shkatërrua për pak sekonda. Kam humbur një grua të mrekullueshme, një mësuese e suksesshme dhe nënë e përkushtuar. Dashuria ime për të është e pashpjegueshme. Ajo do të jetojë në zemrën time gjithë jetën time”, tha ai në një intervistë për Ynet.

Khatib tha se ka mbetur vetëm me një nga vajzat, Razan, të cilën arriti ta shpëtojë në çastet e para të sulmit. Ai hyri në banesë dhe shkoi në katin e dytë, aty ku ra raketa. Pavarësisht përpjekjeve për të nxjerrë pjesën tjetër të familjes, nuk arriti t’i shpëtonte.

“Nuk mund ta besoj që kam mbetur vetëm me një vajzë. Nuk do të rikuperohem lehtë. Tani kemi nevojë për ndihmë dhe mbështetje për të përballuar këtë humbje shkatërruese.”

Në fund, Khatib bëri një thirrje të fortë për paqe: “Është koha që kjo luftë të ndalet kudo. Ne, civilët, po paguajmë çmimin më të rëndë.”

Tragjedia e familjes Khatib është bërë simbol i vuajtjes së civilëve në një konflikt që po shkatërron jetë të pafajshme përtej çdo kufiri politik.