Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të karburanteve

Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë te çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim. Në rast se konstatohet se luhatjet e çmimeve në tregun vendas tejkalojnë masën e ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, Autoriteti do të ndërmarrë masat e nevojshme në përputhje me kompetencat e tij.

“Në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit, si edhe zhvillime ekonomike apo gjeopolitike. Për rrjedhojë, pritet që edhe çmimet në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me ndryshimet e regjistruara në bursë. Çdo devijim i pajustifikuar, përfshirë rritje më të shpejta apo më të theksuara se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg”, thuhet në njoftim.

Autoriteti thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si dhe çdo formë koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktika të bashkërenduara mes operatorëve të tregut.

Me këtë proces monitorimi synohet garantimi i transparencës, funksionimi i rregullt i tregut dhe mbrojtja e konsumatorëve nga çmime të padrejta apo sjellje që cenojnë konkurrencën.

Autoriteti sqaron se të gjitha monitorimet dhe procedurat e mundshme hetimore kryhen vetëm në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pa u ndërthurur me kompetencat e institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend.