Detaje të reja po zbulohen nga vrasja e ndodhur të hënën në mbrëmje (18 gusht) në zonën e Agios Panteleimonas, ku viktimë mbeti një shtetas shqiptar 47-vjeçar, i njohur për autoritetet greke.
Sipas burimeve policore, momenti i ekzekutimit është regjistruar nga një kamerë sigurie pranë vendit të ngjarjes. Pamjet tregojnë autorin e veshur me rroba të errëta, kaskë, xhup motorçiklete dhe doreza, duke u kujdesur të mos lërë gjurmë.
Ai iu afrua viktimës dhe e qëlloi një herë në gjoks. Më pas, tentoi të shtinte sërish, por arma u bllokua dhe nuk funksionoi. Në vendin e ngjarjes u gjetën një gëzhojë e përdorur dhe një fishek i paqëlluar.
Hetuesit grekë theksojnë se ekzekutuesi ka vepruar me një plan të mirëorganizuar dhe vendosmëri, duke zgjedhur kohën dhe vendin e duhur, çka sugjeron se krimi ishte një mesazh i qartë.Identiteti i autorit mbetet ende i panjohur, ndërsa policia po analizon videon kornizë pas kornize për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tij.