ARRSH shpall fituesit për bypass-in e Elbasanit, nisin fazat e para të lidhjes me Korridorin VIII

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur kompanitë fituese për dy fazat e para të ndërtimit të bypass-it të Elbasanit, një projekt strategjik që do të lidhë aksin Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII.

Për fazën e parë, me fond limit 3.3 miliardë lekë, fituese është shpallur kompania “2 T”, e cila paraqiti një ofertë prej 2.13 miliardë lekësh pa TVSH, rreth 35% më të ulët se fondi limit. Ndërsa për fazën e dytë, me fond limit 2.5 miliardë lekë, kontrata i është dhënë kompanisë “Salillari”, me një ofertë prej 1.8 miliardë lekësh pa TVSH, ose rreth 28% më të ulët se fondi limit.

Dy procedurat, me një fond limit të përgjithshëm prej rreth 5.8 miliardë lekësh, parashikojnë ndërtimin e një segmenti rrugor rreth 4 kilometra të gjatë. Traseja do të nisë pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit dhe do të përfundojë në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik.

Projekti synon të lehtësojë qarkullimin në hyrje dhe dalje të autostradës Tiranë–Elbasan, duke reduktuar bllokimet e trafikut në Bradashesh, një nga nyjet më të ngarkuara rrugore në vend.

Bypass-i i Elbasanit është pjesë e Korridorit VIII dhe do të shërbejë si hallkë lidhëse mes segmenteve Elbasan–Lekaj dhe Elbasan–Qafë Thanë, të cilat janë aktualisht në zhvillim.

Sipas ARRSH-së, investimi pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit, të përmirësojë sigurinë rrugore, të ulë ndotjen e ajrit dhe të lehtësojë ndjeshëm trafikun në qytetin e Elbasanit. Projekti është parashikuar edhe në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027–2029, me një kosto totale të vlerësuar prej rreth 240 milionë euro.