Ballina Shqiperia ime Arrestohet shoferi 23 vjecar qe shkaktoi aksidentin ne Sarande

Arrestohet shoferi 23 vjecar qe shkaktoi aksidentin ne Sarande

Detaje të reja janë zbuluar pas aksidentit fatal të mbrëmjes së së dielës në aksin Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën motrat Ela dhe Rozina Dhimaku.

Policia ka vënë në pranga 23-vjeçarin Kevi Norra qe sipas njoftimit te policise eshte banues ne Fier, i cili drejtonte automjetin tip “Audi”. Nga testi i alkoolit rezultoi se Norra ishte në gjendje të rëndë të dehur në momentin e përplasjes.

Në fshatin Kopaçez, ku jetonte familja Dhimaku, janë hapur dyert e mortit. Mësohet se se ato ishin dy më të rriturat e familjes, ndërsa në shtëpi kanë lënë një vëlla vetëm 10 vjeç, i cili vuan nga leuçemia.

Nga ana tjetër, 24-vjeçarja Antonela Zhupa, pasagjere në automjetin tip “Lancia”, ka pësuar politrauma. Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, mjekët vendosën ta transferonin drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Fatmirësisht, gjendja e saj shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, i cili ka lënë pas një tragjedi të rëndë familjare dhe shoqërore.

Sarandë – NJOFTIM I POLICISE

•Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën  1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.